Aktualitet

Shkarkimi i Presidentit Meta, vendimi i Kushtetueses shtyhet më 1 shkurt!

Gjykata Kushtetuese shtyn për më 1 shkurt seancën për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Shkaku lidhet me infektimin me COVID-19 të realtorit të çështjes, Përparim Kalo.

Njoftimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese:

Çështja me kërkues Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe objekt: “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”, e planifikuar për t’u zhvilluar në seancën plenare publike të datës 18.01.2022, ora 10:00, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është shtyrë për në datën 01.02.2022, ora 10:00, për arsye se relatori i çështjes ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Qershorin e kaluar, Kuvendi votoi në favor të shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Vetëm një numër i vogël deputetësh votuan kundër. Në favor ishin 104 deputetë, 7 u deklaruan kundër dhe 3 të tjerë abstenuan. Për shkarkimin nevojiteshin, dy të tretat ose 94 vota. Nisma u ndërmor nga socialistët, të cilët e akuzuan Metën për qëndrimet e mbajtura përpara e gjatë fushatës zgjedhore. Edhe Komisioni Hetimor i ngritur posaçërisht, arriti në përfundimin se Kryetari i Shtetit ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

Në 30 vite pluralizëm në Shqipëri, vendimi i 9 qershorit 2021, shënoi rastin e parë të shkarkimit të Presidentit të vendit nga Parlamenti.

Procedurat parlamentare u zhvilluan me shpejtësi dhe Komisioni Hetimor e mbylli aktivitetin për tre javë. Komisioni mori në shqyrtim të gjitha deklarimet publike të Metës, për të vërtetuar përfshirjen e tij në fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Sipas raportit të miratuar prej tij, “Kreu i Shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president, te cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit”.

Presidenti Meta nga ana e tij, e quajti “të paligjshme” nismën e ndërmarrë nga Parlamenti, vendimi i të cilit është në duart e Gjykatës Kushtetutese, që më 1 shkurt pritet të thotë fjalën e fundit.