Aktualitet

Shkarkohet kryeprokurorja e Tiranës/Elisabeta Imeraj kundërshton vendimin, e quan “Në kundërshtim me ligjin!”

Shkarkohet Elisabeta Imeraj, Drejtuese e Prokurorisë se Tiranës. Vendimin e shkarkimit sapo e dha Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas seancave maratonë, ndërsa kryetarja e trupës gjykuese, Ina Rama tha se “Imeraj nuk justifikon pasurinë”.

Për pasurinë 2500 m2 tek ish-Fusha Aviacionit, subjekti s’ka burime të ligjshme. Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet, s’ka burime. Për apartamentin e  ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë. Për shlyerjen e kredive të marra në vitet 2006 dhe në 2008 subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë patur pamjaftueshmëri për shlyerjen e këtyre kredive.

Ndërsa njoftoi shkarkimin, Ina Rama shtoi:

Subjekti ka treguar sjellje jo profesionale duke kontaktuar përfaqësues të ONM-së që ndiqnin procesin e saj. Vendosja e kontakteve me ONM-në, për çdo arsye është jo e duhur dhe jo ligjore, është sjellje e papërshtatshme!

Në një dalje për mediat, vetë Imeraj tha se “vendimi është në kundërshtim me ligjin”:

Puna ime në vite besoj që ka folur më së qarti se çfarë funksioni dhe në çfarë mënyre është kryer puna e Prokurorit.

Vënia në dispozicion e akteve të punës sime, ku 160 të pandehur janë dënuar me dënim të formës së prerë dhe vetëm 3 prej tyre kanë marrë pafajësinë.

Jam munduar në këtë proces të përfaqësoj për të gjithë, që në çdo moment nga ana ime janë vënë në dispozicion fakte që ky proces ka qenë i afektuar. Vendimi në kundërshtim me ligjin.

Ajo që pretendohet nga Reforma në Drejtësi është që zëri i secilës palë të jetë i dëgjueshëm, normalisht nuk e lidh këtë me situatën personale. Në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete: Kush e dëshiron shkarkimin e Elisabeta Imerajt? Vetëm kjo përgjigje nuk u dha.

Duke qenë se kjo çështje pati interes të shtuar të medias, jeni të ftuar në cilësinë e gazetarëve dhe të medias, që të merrni çdo fletë të dosjes hetimore, që në KPK, ku vërtetohet që Elisabeta Imeraj ka zero pasuri në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ajo çfarë Reforma në Drejtësi synon është një sistem i pavarur që tejçon besimin te publiku duke dhënë vendime në bazë të provave, pavarësisht presioneve politike, ekonomike, kriminale apo ndërkombëtare.