Aktualitet

Shkelje procedure e lojë me afatet, si “i mbrojti” SPAK dy prokurorët e akuzuar për dosjen “Ahmetaj”

Dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi i shpëtuan me procedurë hetimit pas kallëzimit të ngritur kundër tyre për fshehje të provave që tregonin pagesat e Klodian Zotos, shtetas të shpallur në kërkim për Arben Ahmetajn.

Kodi i Procedurës Penale përcakton në nenin 291 të tij afatin e mosfillimit të një procedimi. Sipas këtij neni, brenda 15 ditëve, prokurori që shqyrton kallëzimin duhet të bëjë publike vendimin e arsyetuar.

Vendimi më pas u njoftohet palëve të përfshira, në këtë rast gazetarit Adriatik Doçi dhe prokurorëve Eneid Nakuçi dhe Klodian Braho 10 ditë nga data e njoftimit. Në rastin e shqyrtimit të kallëzimit ndaj dy prokurorëve Braho e Nakuçi, është shkuar në limitet e këtij afateve. Gazetari Adriatik Doçi ka dorëzuar kallëzimin ndaj dy prokurorëve për shpërdorim detyre dhe pengim të zbardhjes së të vërtetës në datën 9 dhjetor.

Në ditën e 13-të të këtij afati, pra më datë 22 dhjetor prokurori tjetër i SPAK, Alfred Shehu, që i ra shorti të shqyrtonte kallëzimin e gazetarit doli me vendimin për të mos nisur hetimet. Përtej argumentimit të dobët të dhënë në këtë vendim, ku citoheshin të njëjtat argumente të përdorura nga dy prokurorët e kallëzuar, Braho e Nakuçi, vendimi i Alfred Shehut ka edhe një detaj kohor. Nëse vendimi për pushim nuk do të merrej brenda 15 ditëve, në këtë rast brenda datës 24 dhjetor, atëherë SPAK do të detyrohej ligjërisht që të hetonte. Në këtë rast, afatet nuk janë i vetmi element i përdorur për të shpëtuar dy prokurorët Braho e Nakuçi nga hetimi. Elementi tjetër është edhe më i rëndë dhe ka të bëjë me shkeljen e nenit 78 të Kodit të Procedurës Penale.

Ky nen thotë se SPAK duhej të shpallte moskompetencë për kallëzimin e gazetarit Adriatik Doçi dhe ta kalonte atë për shqyrtim e vlerësim në prokurorinë e juridiksionit të zakonshëm, konkretisht në Prokurorinë e Tiranës. Gjithashtu nuk është kompetencë lëndore e SPAK vepra e shpërdorimit të detyrës, pasi Prokurori i SPAK, nuk është subjekt i parashikuar nga neni 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

E thënë më thjesht, SPAK ka shkelur ligjin për të mbrojtur dy prokurorët, duke pushuar kallëzimin për devijim hetimesh, për prova të pakontestuara ndaj ish Ministrit te Financave Arben Ahmetaj. Në të gjithë këtë çështje, vendimi i SPAK duke përdorur afatet e duke shkelur Kodin e Procedurës Penale ‘trash’ edhe më shumë zullumin e bërë me dosjen hetimore të inceneratorit të Elbasanit dhe mospërfshirjen në të të faturave që tregojnë përfitimet e Arben Ahmetajt nga Klodian Zoto. Çështja aktualisht ndodhet në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme, pas ankimimit të bërë nga gazetari Adriatik Doçi kundër vendimit të prokurorit Alfred Shehu.