Bota

Shkëlqeu në serialin “Lupin”, ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare aktori Adama Niane!

Fatkeqësisht është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare aktori francez Adama Niane, i cili luajti Léonard në serialin e Netflix, “Lupin”. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale regjisori i filmit “Get In”, Olivier Abbou. Ai ka shkruar:

Me pikëllim të madh mësova për ndarjen nga jeta të Adam Niane, me të cilin pata kënaqësinë të punoja në Sezonin 2 të Maroni dhe Fury. Ne nuk e lamë njëri-tjetrin për 4 vjet, ndamë aventura intensive njerëzore dhe artistike në skajet e botës, Guajana, Saint Pierre dhe Miquelon, madje edhe Lille. Ai ishte plot dritë, i talentuar, i fortë. Ai ishte heroi im, një mik dhe një partner. U prefsh në paqe!

Ndërkohë, ende nuk dihet shkaku i vdekjes. Projekti i fundit i Adama ishte në serialin televiziv të vitit 2022 “L’lle aux 30 Cercueils” (Ishulli i 30 arkivoleve), ku ai mori rolin e Yannick Lantry. Rikujtojmë se “Lupin” u bë seriali i parë francez që u rendit në vendin e parë në Brazil, Vietnam, Argjentinë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Poloni.