Sport

Shkëmbi pas barazimit të Tiranës: Pësuam gola naivë

Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, mendon se mungesa e eksperiencës ndikoi në barazimin e sotëm përballë Bylisit.

“Na vjen keq, se për pak sekonda po fitonim. Në 30 minutat e para kemi gabuar shumë, nuk kemi qenë skuadra që kemi qenë në stërvitje e që duam të jemi, që kemi qenë në shumicën e kohës deri tani. Patëm probleme në mesfushë, në duele, por kjo është ajo që më shqetëson më shumë.

E vërtetë, kemi pësuar gola naivë, sidomos me Egnatian por edhe sot. Sidomos dy golat sot ishin shumë naivë. Ndoshta ka të bëjë eksperienca në ato momente, sidomos në sekondat e fundit. Mund ta kishim menaxhuar më mirë, duhet të punojmë dhe të jemi me të përqendruar. Vetëm kështu mund të përmirësohemi. Është edhe eksperienca. Unë nuk justifikohem por ka në fushë vetëm 3 lojtarë që kanë luajtur në Superiore. Patjetër do të na duhet pak kohë për të qenë më kompakt e për të patur pak më shumë eksperiencë.  Nuk ka problem me Haxhiun. Ka qenë vendim taktik, por Abel ka bërë dy ndeshjet e para goxha te mirë, ka dhënë pritshmëritë e tij. Mendoj se me Egnatian, edhe e sotmja, ishte nën nivelin që mund të bëjë e duhet të japë. Unë e njoh Haxhiun shumë mirë që te Dinamo, ai na jep diçka me tepër nga lojtarët e tjerë. Por atij i kërkoj më shumë, nuk duhet të jetë fragmentar gjatë lojës. Nëse ai e Ndreca vazhdojnë kështu, ne dimë që mund të bëjnë ndryshimin, patjetër që do të luajnë”, tha Shkëmbi pas ndeshjes.