Bota Tech

Shkencëtarët gjejnë shpëtimin nga i nxehti!

Listës së gjërave smart iu shtohet edhe pëlhura. Po, quhet “inteligjente” pasi mban trupin e freskët edhe në diell e është aleate e shkëlqyer në ditë të nxehta… Sa mirë do të ishte ta kishim! E dimë se jo që tani por në një të ardhme afërt…

Gjithsesi, kjo pëlhurë po konkretizohet falë punës së një grupi shkencëtarësh kinezë të koordinuar nga Guangming Tao i Universitetit Huazhong për Shkencën dhe Teknologjinë në Wuhan të Kinës.

Anët pozitive:

Rezulton më efikase se pambuku, e lehtë, nuk përshkohet nga uji, e qëndrueshme e mund të prodhohet masivisht.

Ku qëndron sekreti?

As më shumë e as më pak veçse te përbërja e veçantë! Eshtë zhvilluar duke kombinuar elementë që reflektojnë dritën e dukshme e rrezet ultravjollcë si tefloni (i njohur për karakteristikat termike e gjendet te enët e gatimit) e dioksidi i titaniumit (kimikat të cilin e kanë në përbërje kremrat e mbrojtjes nga dielli) me ato që lëshojnë nxehtësi, si fibrat e acidit polilaktik, të përdorura në fijet për qepje gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

Për të testuar “recetën”, iu kërkua një vullnetari të qëndronte i ulur për një orë në diell me një veshje, gjysma e së cilës përbëhej vetëm nga pambuku dhe gjysma tjetër ishte realizuar me materialin e ri.

Rezultoi se temperatura e trupit nën “pëlhurën inteligjente” luhatej mes 31 apo 32 gradëve ndërsa nën pambukun, 37 gradë.

Në një tjetër eksperiment, shkencëtarët e përdorën “copën smart” për të mbuluar një makinë të ekspozuar në diell për 120 minuta në orët më të nxehta të ditës dhe temperatura nuk shkoi përtej 30 gradëve kundrejt 57 gradëve të regjistruara kur automjeti u mbulua me një tjetër të zakonshme apo edhe 60 gradë teksa u la zbuluar në diell.

Gjithashtu, “pëlhura e mençur” funksionon si një hije dhe lehtëson në kontaktin e drejtpërdrejt me lëkurën. Studiuesit thonë se mund të ngjyroset me ngjyra të ndryshme por e bardha mbetet zgjedhja e duhur pasi reflekton më mirë dritën.