Aktualitet

Shkodër, ende shkarkime nga Vau i Dejës/Prani uji në 110 banesa!

Në Qarkun Shkodër ka një situatë të përkeqësuar pasi vijojnë shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Raportohet se numri i banesave me prezencë uji ka arritur në 110 nga 30 që ishin më parë.

Në total janë 1 mijë e 400 ha të përmbytura, ndërsa rruga e fshatit Obot mbetet me prezencë uji, 85 cm. Atje ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë, si edhe shtatë forca të ushtrisë. Edhe rruga Shirq-Darragjat nuk është e kalueshme. Bashkia e Shkodrës kërkon pako ushqimore për të ndihmuar banorët e bllokuar nga uji, bazë ushqimore për blegtorinë e çizme të gjata nga 50 në 60 palë për në Obot.

Gjatë natës pati reshje dëbore me intensitet mesatar në akset Korçë-Dardhë, në Llogara, në Kukës-Ura e Zapodit, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Fierzë, Qafë Bualli-Krastë. Por, ARRSH bën të ditur se akset janë të kalueshme, pasi me mjete e punëtorë, kontraktorët kanë qenë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet. Këshillat janë që të tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore e zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme e të lagështa, me origjinë jugperëndimore.

Moti parashikohet me alternime vranësirash që hera-herës do të jenë të dendura, si edhe me intervale kthjellimesh. Parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash në zonën e veriut e në atë të jugperëndimit të territorit shqiptar. Në zonat malore do të ketë reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-verilindje, me shpejtësi mesatare nga 1-7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zona luginore, relativisht era do të jetë intensive, me shpejtësi që arrin deri në 8-12 m/s. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 1-2 ballë. Temperaturat kanë pësuar rritje në krahasim me një ditë më parë e ato luhaten në vlerat ditore nga minus 1 në 16 gradë celcius.