Sport

Shkodranët mposhtin Partizanin, Vllaznia-Laçi në finalen e Kupës së Shqipërisë!

Vllaznia mbërrin sërish në finalen e Kupës së Shqipërisë teksa mposhti pas goditjeve të 11-metërshave, Partizanin. Për të kuqtë fatal gabimi i Skukës te penalltitë, ndërsa shkodranët i realizuan të pesta goditjet e tyre. Kuqeblutë do të tentojnë për të dytin sezon radhazi tashmë të ngrenë lart trofeun e Kupës, për të ruajtur statusin e kampionëve në fuqi.

Sa i takon ndeshjes, ajo nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Partizanin që në minutën e tretë gjeti golin me anë të Esat Malës. Mesfushori i gjendur në zemrën e zonës shkodrane nuk gaboi dhe me një goditje tokazi mposhti portierin Zogovic. Pas këtij episodi, të kuqtë patën mundësinë të shënonin edhe golin e dytë, këtë herë me Xhuliano Skukën. Por, sulmuesi nuk pati fatin në anën e tij teksa u ndal nga tranversa. Sërish, Skuka protagonist, teksa në një kundërsulm nuk pason për Kallakun, por gabon duke tentuar lavdinë personale.

Në fund, Skuka pason për Malën që godet por gjen në pozicion Zogovic. Ndërkaq, në të 27-tën, Vllaznia rikthen baraspeshën me Aralicën që shënon duke përfituar edhe nga një devijim i pafat i Bitrit. Sakaq, pas gjashtë minutash, Jonuzi godet nga distanca por Hoxha kontrollon në dy kohë. Në fraksioni e dytë, rastet ishin me pikatore ndërsa episodi kulminant ishte në minutën e 92, kur Vllaznia pretendoi për penallti pas një kontakti në zonë mes Belicës dhe Latifit.

Mirëpo, nuk ishte i këtij mendimi arbitri Juxhin Xhaja dhe në këtë formë sfida shkoi në shtesë. Aty shkodranët insistuan më shumë, por nuk ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës me skuadrat që iu drejtuan goditjes së 11-metërshave. Skuka gaboi të parën me Zogovic që ndali gjuajtjen e sulmuesit, ndërsa nga ana tjetër, shkodranët nuk gabuan asnjë duke festuar në Loro Boriçi.

Me fitoren e Laçit ndaj Teutës u përcaktua kështu edhe finalja e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon Vllaznia -Laçi!