Bota

Shkon në 15 numri i viktimave nga përmbytjet në Itali, mbi 36 mijë të evakuuar!

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është kthyer më herët se sa ishte planifikuar nga samiti i G7 në Japoni dhe aktualisht po viziton zonat e prekura nga vala vdekjeprurëse e motit të keq në rajonin Emilia Romagna.

Të martën, kabineti do të mblidhet në Romë për të miratuar masat emergjente për të mbështetur të prekurit. Sipas të dhënave të fundit, 15persona kanë humbur jetën dhe deri më tani mbi 36 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Dëmet materiale llogariten në pesë miliardë euro.

“Më në fund doli dielli, situata filloi të përmirësohej. Një pjesë e madhe e qytetit të Cesena, nesër shpresoj se do të jetë pastruar nga balta,” tha guvernatori rajonal i Emilia Romagna Stefano Bonacini.

Megjithatë, siç theksojnë ekspertët, rreziku i rrëshqitjeve të reja mbetet shumë i lartë në të gjithë rajonin.

Për momentin, më në fund, organet kompetente kanë vendosur që të zgjasin deri nesër gjendjen e gatishmërisë më të lartë, ndonëse sipas parashikimeve meteorologjike, në orët e ardhshme në zonën më të gjerë të Bolonjës priten reshje të pakëta shiu.