Aktualitet

Shkrimet e medias greke për provokime, Meta: “Nuk jap llogari para asnjë ambasade!”

Mediat greke adresuan akuza për provokim dhe reagime të ashpra ndaj presidentit Ilir Meta, për ekspozitën kushtuar Çamërisë. Në artikullin e publikuar nga “Protothema”, shkruhet: “Meta shfaqet në një ekspozitë me foto dhe harta nga i ashtuquajturi “genocid i Çamërisë” dhe gjoja pushtimin e territoreve shqiptare në Greqi”. Sipas mediave në vendin fqinj, ambasada greke në Tiranë reagoi ashpër, duke kërkuar nga Presidenca ndërprerjen e kësaj ekspozite. Prej ditësh, në kangjellat e Presidencës qëndrojnë të ekspozuara foto e harta, në përkujtim të genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Pas akuzave për provokim në Greqi lidhur me ekspozitën kushtuar Çamërisë, Presidenca përgjigjet duke thënë se nuk jep llogari para asnjë ambasade, por vetëm para Kuvendit dhe popullit shqiptar. Në një deklaratë theksohet:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë. Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.