Rajoni

Shkup, ceremoni solemne për Ditën e Flamurit!

28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, gjithashtu u shënua në Shkup me një ceremoni solemne të organizuar nga Ali Ahmeti, kryetar i partisë bashkë-qeverisëse Bashkimi Demokratik për Integrim. Ahmeti vuri në dukje se: “Askush nuk mund ta mohojë se shqiptarët kanë luftuar vetëm për t’u bashkuar, jo për të pushtuar”. Mes të pranishmëve ishin dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e ambasadori i Tiranës në Shkup, Fatos Reka.

“Kohërat mund të ndryshojnë, kontekstet gjithashtu mund të ndryshojnë, por me rëndësi është themeli, shtyllat dhe urat mbi të cilat ndërtohet dhe orientohet ardhmëria e gjeneratave të reja që të vazhdojnë rrugëtimin dhe do të kenë përgjegjësinë dhe privilegjin të jenë qytetarë të barabartë me të drejta dhe obligime të njëjta në BE”,-deklaroi Xhaferi.

Ali Ahmeti theksoi se nga të gjithë kuvendet e mbajtura nga shqiptarët është dëshmuar se, asnjëherë shqiptarët nuk kanë qënë sulmues dhe cënues të fqinjëve.“Është një vërtetë e madhe që shqiptarët kanë luftuar për t’u bashkuar dhe çdokush që mundohet ta mohojë nuk e thotë të vërtetën dhe e fsheh atë, sepse të gjitha padrejtësisë nga konferencat goditë mbi shpatullat tona, bëheshin pazare për të kënaqur orekset e vendeve gllabëruese fqinje, por përpjekjet nuk u ndalën. Investimi për të qenë ne të lirë vërtetë pati qëllim të lartë, por liri e barazi pa gjak nuk ka. Mesazhe për paqe dhe stabilitet gati nga të gjitha periudhat e lëvizjeve të rëndësishme të shqiptarëve këto kanë qenë”,- deklaroi Ahmeti.