Rajoni

Shkupi dhe Beogradi veçojnë rëndësinë e bashkëpunimit për të ardhmen e rajonit!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe homologia e Serbisë, Ana Bërnabiç, vlerësojnë se bashkëpunimi e stabiliteti mes shteteve ka rëndësi të madhe për të ardhmen e Ballkanit. Në Samitin Ekonomik “Maqedonia 2005” në Shkup, Bërnabiç, theksoi se “në kohën e krizës së madhe ekonomike, bashkëpunimi, paqja dhe stabiliteti janë prioritetet kryesore të Serbisë”.

Prioriteti ynë i parë e kryesor është bashkëpunimi rajonal, ruajtja e paqes dhe e sigurisë në këto kohë të vështira, plot me sfida. Nëse arrijmë të ruajmë paqen e stabilitetin, krijojmë mundësinë për rritje të mëtejshme të ekonomisë e sigurojmë prosperitet në këto kohë të vështira. Pra, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal, janë prioritetet kryesore, në veçanti për kontinentin europian.

Ekonomia nuk është e tillë që të mëdhenjtë t’i hanë të vegjlit, por të shpejtët t’i hanë të ngadaltët. Jemi më të vegjël, por nëse shohim nga perspektiva e biznesit, shtetet e kompanitë më të vogla janë më të shpejta, më fleksibël.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se “integrimi i rajonit në Bashkimin Europian duhet të jetë prioritet kryesor” se sipas tij, “çdo zmbrapsje nga ky objektiv mund të rikthejë nacionalizmat e para 20 viteve”. Kovaçevski theksoi se “bashkëpunimi rajonal nuk duhet të diskutohet, por të nisë të zbatohet në praktikë”.

Bashkëpunimi rajonal duhet të zbatohet e jo të diskutohet. Së bashku me kolegët nga Serbia, Shqipëria e të tjera vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin rajonal e konsideroj si shumë të rëndësishëm. Bashkëpunimi rajonal është me rëndësi të madhe… Ne duhet të vazhdojmë me orientimin strategjik drejt BE-së, pavarësisht të gjitha pengesave që kemi.

Duke marrë parasysh atë që kemi kaluar në 20 vitet e fundit, ideja e zgjerimit të BE-së është me rëndësi të madhe, pasi në të kundërtën do të kemi rritje të nacionalizmave. Prandaj, të gjithë ne, në veçanti ata që drejtojnë shtetet, duhet të qëndrojnë në kursin e integrimit europian.