Aktualitet Rajoni

Shkupi shqyrton propozimin francez mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Sofjen!

Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet thonë se “propozimi me ndryshime i Francës, për arritjen e kompromisit me Bullgarinë do të diskutohet nga të gjitha institucionet e rëndësishme e procesi do të jetë transparent”. Subjektet politike në pushtet lënë të kuptohet se propozimi nuk imponon prekjen në çështjet kombëtare e historike, por opozita maqedonase akuzon qeverinë se po gënjen dhe tradhëton popullin.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u takua me të gjithë partnerët e koalicionit qeveritar për të shqyrtuar propozimin francez, që ka të bëjë me dhënien fund të ngërçit në bisedimet me Bullgarinë e që mundëson arritjen e kompromisit, për t’i hapur rrugën e integrimit europian Maqedonisë së Veriut. Kovaçevski e quan “dokument të rëndësishëm për të ardhmen e vendit”. Ndërsa qeveria e publikoi propozimin në faqen e saj të internetit, po shtohen debatet nëse ka apo jo ndryshime në përmbajtjen e propozimit.

Ndër të tjera, aty thuhet:

Për të hapur fazën e bisedimeve, Këshilli Europian do të thërrasë një konferencë tjetër ndërqeveritare, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimet që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme.

Kjo nënkupton futjen e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës e ku nevojiten dy të tretat e votave në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Takimi i partnerëve qeveritarë lidhur me propozimin do të pasohet me një proces të gjerë këshillimor, në të gjitha institucionet e rëndësishme të vendit ballkanik.

Kovaçevski informoi se “me partnerët u bisedua me fakte e hollësi, duke pasur parasysh qëllimin dhe qëndrimin strategjik, që është integrimi në BE”. Para vetes kemi një propozim që përfshin vërejtjet tona dhe qëndrimet e theksuara në mënyrë të qartë. Pozita ku ndodhemi është shumë më e volitshme për Maqedoninë e Veriut.

Qeveria e shikon propozimin si bazë të fuqishme për ndërtimin e një qëndrimi serioz, të përgjegjshëm e shtetëror për mundësinë që i jepet shtetit. Dimitar Kovaçevski pretendon se janë ruajtur “vijat e kuqe”, të vendosura nga kabineti i tij lidhur me çështje jetike si gjuha, identiteti e historia.