Aktualitet Politikë

Shndërrimi i Spaçit e Kampit të Tepelenës, PD dorëzon projektligjin!

Në emër të grupit parlamentar demokrat, kryetari Enkelejd Alibeaj depozitoi në Kuvend një projektligj ku kërkohet shndërrimi i Burgut të Spaçit dhe Kampit të Internimit të Tepelenës, në Muze Kombëtar. Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj shkruan se kthimi i tyre në Muze Kombëtar është në shërbim të memories historike të Shqipërisë, si edhe në respekt ndaj mijëra qytetarëve e pasardhësve të tyre, që vuajtën terrorin e regjimit komunist.

Partia Demokratike ka depozituar dje një projektligj për shndërrimin në muze Kombëtar të Burgut të Spaçit dhe Kampit të Tepelenës.  Memoria historike për një vend që për gati 50 vite u rrënua nga diktatura komuniste shtron si domosdoshmëri që e shkuara e hidhur jo vetëm të njihet nga brezat e rinj, por dhe të shndërrohet në kujtesë ndërgjegjësuese për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Partia Demokratike ka në gjenezën e saj atë pjesë të shoqërisë që gjatë viteve të komunizmit u vra, u syrgjynos, u burgos dhe u persekutua në burgjet e kampet më të egra të Europës. Këto 30 vite kanë qenë tregues i qartë se veç asaj që është bërë për të këtë shtresë ka ende shumë kontribute për të dhënë që nga e djeshmja e errët të nxirren mësime për të sotmen dhe të ardhmen.

Këtij qëllimi i shërben dhe projektligji i depozituar dje. Si shërbim ndaj memories historike të Shqipërisë dhe si një respekt ndaj mijra qytetarëve dhe pasardhësve të tyre që vuajtën terrorin e regjimit komunist.

Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet (gjendej) në fshatin Spaç. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984 ku u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.

Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore i llojit “Arkitekture”. I hapur në vitin 1968, funksionoi deri në vitin 1988. Sipas të dhënave, në Spaç kanë vuajtur dënimin mbi 1000 të burgosur politikë, të cilët shfrytëzoheshin për të punuar në miniera.

Kampi i Internimit i Tepelenës apo Kampi i Tepelenës ka qenë një strukturë internimi pranë kalasë ku u mbajtën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. Kampi qëndroi aktiv prej prillit 1949 deri në mars 1954. Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e qeverisë amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.