Aktualitet

Shokuese! Biznesmenit i hyjnë maskat në shtëpi, i grabisin mbi 100 mijë euro!

Një ngjarje e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit në Nikël të Fushë Krujës, ku disa persona të armatosur e me maska, hynë forcërisht në banesën e biznesmenit Nazmi Çangu, të cilin e dhunuan barbarisht dhe i terrorizuan familjen. Gjithashtu, morën mbi 100 mijë euro nga kasaforta e të tjera sende me vlerë. Kur sipërmarrësi, i cili vite më parë ka punuar në Policinë e Shtetit e nuk ka precedentë penalë dhe as konflikt me njeri refuzoi, agresorët i prenë gishtin me gërshërë e gjithashtu i shkaktuan fraktura të shumta duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Dinamika e ngjarjes:

Rreth orës 23:00, Nazmi Çangu, gruaja dhe fëmijët ishin kthyer nga një darkë familjare kur në orën 02:00 pas mesnate u zgjuan nga grabitësit, që siç tregon kryefamiljari, i drejtuan automatikun në fytyrë. Disa prej grabitësve ruanin gruan dhe fëmijët në një dhomë të shtëpisë, ndërsa të tjerë e dhunuan që të tregonte çelësin e kasafortës. Pas grabitjes u larguan, duke lënë pas një rrëmujë të madhe e shtratin me gjak të biznesmenit të lënduar.

 

Më goditi njëri me automatik. Më gjuajtën sa deshën. Aty u përlesha me dy persona. Më kanë prerë gishtin me gërshërë. Kërkonin çelësat e kasafortës, kam bërtitur. Kisha edhe fëmijët brenda. Më lidhën edhe me fasheta të zeza, i kam hequr në Spitalin Ushtarak. Më lidhën duar dhe këmbë, më ranë me shkelm fytyrës. Rashë pa ndjenja. I kam kërkuar ujë, më dhanë 4 herë. Më kërkonin çelësin e kasafortës. Por unë s’kam lekë këtu, i kam në bankë. Aty kisha një qese me lekë, i kisha për të paguar betonin. Tre fasheta i kam pasur te këmbët. Një e kam kafshuar në dorë. Unë e dija se ku ishte çelësi i kasafortës. Ajo qesja kishte 20 mijë euro. Do i çoja te betoni se do bënim një kanal në rrugë. Kishte 5-6 çelësa të shtëpisë dhe një çelës ishte i kasafortës. Bërtiti njëri: “E gjeta!”. Mori kaçavidën e hapën kasafortën. Morën çfarë gjetën, shuma kam patur. Dihet se nuk kanë ardhur për gjë tjetër. Kishin dy automatikë dhe pistoletë silenciator. 3 autorë ishin te dhoma ime, 3 te dhoma tjetër dhe 2 poshtë. Më thanë: “Jemi 19 veta, të kemi rrethuar shtëpinë”. Më kanë dhunuar edhe familjarët.

Nazmi Çangu kërkon nga policia të gjejë autorët.

Nga 1993-2007 kam punuar në Policinë e Shtetit dhe pastaj në Policinë e Durrësit. Më pas, më hoqën për punë partie. Këtu nuk jetohet, kur të vijnë në derë të shtëpisë, çfarë të mendosh për vende të tjera? Bëj thirrje të gjenden autorët, më kanë prerë gishtin, më kanë çarë në kurriz, më rrahën, kam fraktura gjithandej. Këtu nuk jetohet më!

Edhe pse Shqipëria ka sistem modernizuar bankar e me akses të vazhdueshëm online për të kryer veprime në çdo moment edhe përmes telefonit apo kartave të kreditit ose debitit, shumë persona vijojnë të mbajnë shuma të mëdha parash cash në shtëpi, duke u bërë objekt i grabitësve. Ky nuk është rasti i parë që ndodh një grabitje e këtyre përmasave. Burime të rezervuara thonë për Top Albania Radio-n se pre e të tilla grabitjeve kanë rënë edhe banesat e disa ministrave e ish-ministrave që u janë marrë shuma të mëdha parash e valutë cash në shtëpi. Madje, në fillim të gushtit qarkulloi lajmi se u grabit shtëpia e kreut të SPAK-ut, Arben Kraja në Gjirin e Lalzit, por, Kraja i hodhi poshtë njoftimet si “sajesa”. Ndërkaq, rastet nuk janë denoncuar në Polici, për të mos u bërë të bujshme, pasi do të krijonin dyshime të tjera mbi prejardhjen e këtyre parave. Kujtojmë edhe rastin e kardiologut Edvin Prifti, të cilit gjatë kontrollit, pas fillimit të ndjekjes penale ndaj tij për korrupsion, Policia i gjeti në shtëpi, mbi 700 mijë euro cash.