Një grua 30-vjeçare ka pasur një incident të rëndë shëndetësor pasi aksidentalisht ka aspiruar një gjilpërë, e cila ka depërtuar në rrugët e frymëmarrjes dhe ka shkaktuar vështirësi të mëdha në frymëmarrje. Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ekipa e Klinikës së Pulmologjisë ka ndërhyrë për të shpëtuar pacienten.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së, ekipa kujdestare ka përdorur aparaturën e bronkoskopisë për të hequr gjilpërën që kishte shkaktuar pengesa në frymëmarrje. “Pasi u vlerësua gjendja e pacientes, ekipa e Klinikës së Pulmologjisë u mobilizua dhe përmes bronkoskopisë, arriti të largonte gjilpërën,” thuhet në njoftim.
ShSKUK bën apel për kujdes të shtuar në situata të tilla dhe thekson se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm për të shmangur rreziqe të tilla për shëndetin e tyre.