Aktualitet Sociale

Shoqëria jonë në krizë vlerash? Të rinjtë shqiptarë mbushin burgjet

Shoqëria shqiptare në krizë vlerash. Kjo reflektohet më të shumti te moshat e reja, të cilët kanë mbushur burgjet. Sipas të dhënave zyrtare të drejtorisë se përgjithshme janë 496 te arrestuar gjatë muajve të fundit të moshës 18 deri në 25 vjeç, për të cilët drejtësia nuk ka folur ende nëse janë fajtorë apo jo. 803 të tjerë janë të dënuar dhe i përkasin të njëjtës moshe.

Pjesa dërrmuese e të rinjve që dalin përpara gjykatës akuzohen për shpërndarje droge, plagosje, vjedhje deri dhe vrasje.

Rezulton se shumë të rinj e nisin karrierën në krim për ngjarje banale si vjedhjet, apo edhe drejtimi i mjetit pa dokumente dhe në gjendje të dehur dhe më pas ata kthehen në qeli si përsëritës.

Numri i adoleshentëve që janë shërbim prove dhe që ju është dhëne një mundësi tjetër është 300 persona, ndërsa ata që janë nën moshë mbahen në institutin e Kavajës. Në burgje dhe në paraburgim mbahen rreth 5 mijë persona të grupmoshave të ndryshme, prej të cilëve 186 janë të dënuar të përjetshëm.