Design

Shpallen fituesit e fotografisë më të mirë astronomike të këtij viti!

Janë zbuluar imazhet fituese nga konkursi i “Fotografit Astronomik”, për vitin 2021. Shuchang Dong u kurorëzua si fituesi për fotografinë e tij magjepsëse të “Unazës së artë”. Imazhi shfaq një eklips diellor të fiksuar në rajonin Ali të Tibetit, më 21 qershor 2020.

Ndërkohë, imazhi “Dritat e Veriut” nga Dmitrii Rybalka, iu dha gjithashtu një çmim kryesor. Fotogaleria e mëposhtme, rendit të gjitha imazhet fituese, të cilat gjithashtu janë shfaqur edhe në një ekspozitë nga 18 shtatori.

Ndërkaq, ju rikujtojmë se fotografi profesionist, Felix Roma, i njohur për koleksionet e tij të shumta nga bota e egër, ka publikuar, së fundmi, disa fotografi nga udhëtimi i tij në Afrikë. I angazhuar në një projekt, në kampet e Afrikës Lindore, fotografi Roma, në kohën kur nisi pandemia e COVID-19, u detyrua të qëndronte në Kenia, por e shfrytëzoi këtë për të fiksuar disa imazhe mahnitëse të kafshëve të egra, që më në fund gjendeshin në habitatin e tyre, larg syve të turistëve.

Së fundmi, gjithashtu janë publikuar imazhet mahnitëse nga konkursi i fotografisë për botën e egër natyrore. Edicioni i 57-të i këtij viti, i cili organizohet nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër, kishte një numër rekord pjesëmarrësish. Juria përzgjodhi midis 50 000 paraqitjeve nga fotografët e 95 vendeve të ndryshme, duke vlerësuar “kreativitetin, origjinalitetin dhe përsosmërinë teknike”.