Aktualitet

Shpallet emergjenca energjetike, nesër plani mbrojtës i Qeverisë, por çmimet nuk rikthehen te ulja!

Në një mbledhje jashtë rendit të ditës, Qeveria mori sot vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin me energji elektrike. Duke folur në përfundim të saj, Kryeministri Rama tha se “Situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë i jep Qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me të natyrës administrative”. Rama bëri të ditur se me këtë vendim i hapet rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur gjendjen. Plani prezantohet nesër.

Nga aspekti i goditjes është një situatë shumë e ngjashme me të pandemisë, në kuptimin që të gjithë janë të prekur. Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme, por të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim për mënyrën si duhet të përballemi me këtë situatë. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun, kulmin e saj, deri në mesin e vitit të ardhshëm e njëkohësisht mendojnë se sidoqoftë, edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin. Kjo është për t’u parë!

A do të ketë kufizime energjetike?

Nëse do të ishte dimër pa drita do ju thonim, bëhuni gati!

Na takon të mbrojmë konsumatorët tanë me një rend prioritetesh nga poshtë lart, duke pasur parasysh ata më në nevojë dhe pastaj duke shkuar lart përmes biznesit të vogël e më tutje, te ata me të ardhura më të larta. Rendi i prioriteteve do të jetë nga më të dobëtit te më të fortët. Ne po diskutojmë të mbrojmë konsumatorët nga furtuna. Jemi këtu për të vendosur një digë mes furtunës që vjen nga tregu ndërkombëtar. Mbyllja e dritave do ishte kollaj fare, po nuk jemi këtu për t’i bërë kollaj gjërat. Po kërkoj që të gjithë të vendosen në pozicionin e shtëpisë së madhe, shtëpisë së përbashkët.

Rama solli në vëmendje gjendjen në disa vende të Europës:

Britania e Madhe po paralajmëron një plan kufizimesh, ndërprerje të energjisë elektrike. Italia e ka rritur 40% çmimin në faturë dhe Mario Draghi tha se ky nuk është çmimi real se subvencionon shteti një pjesë tjetër. Nuk ka ndodhur në Shqipëri, në Tiranë, që të hapen pika për të marrë bukë falas, ka ndodhur në Milano gjatë kohës së pandemisë, radhë të tëra për të marrë bukë falas.

Kryeministri tha se duhet të jemi realistë e të mos harrojmë se një pjesë e madhe, ata që qahen më shumë, janë ata që kanë më shumë të ardhura se çfarë tregojnë. Mos ta harrojmë se nëse i besojmë vetëm të ardhurave të deklaruara, shumë gjëra nuk do shkonin siç shkojnë në të vërtetë. Shqipëria ka sasinë më të lartë të kursimeve të depozitave të vogla nëpër banka. Kjo tregon që gjendja është e qëndrueshme.