Aktualitet Politikë

Shpallet në kërkim 54-vjeçari në Vlorë pasi fotografoi votën!

Një tjetër rast i fotografimit të votës është regjistruar sot në vendin tonë, në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, rreth orës 13:18, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendrës së Votimit Nr. 4498/1, e cila ndodhet në konviktin e shkollës Industriale “Pavarsia”, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Pas marrjes së vendimit, forcat e Policisë kanë hyrë por qytetari ka arritur të largohet nga qendra e votimit. Shtetasit shqiptar i është bllokuar fleta e votimit dhe në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit 54-vjeçar nga Vlora, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Rikujtojmë, se mediat kryesore ndërkombëtare i kanë sot ‘sytë’ nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, që sipas tyre, janë më të trazuarat politike të mbajtura që pas pluralizmit në vendin tonë. “Reuters”, “AbcNews”, “Euronews”, “Swissinfo” i kanë dhënë vëmendje të veçantë zërave për shit-blerje të votave, si dhe vënë në peshore të dy forcave politike kryesore në vend, PS dhe PD, pa lënë jashtë sondazhet.

Ndërkaq, deri në orën 15:00 zyrtarisht kanë votuar 38.36% e qytetarëve me të drejtë vote sot në zgjedhjet parlamentare. Këto janë të dhënat më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i referohen raportimeve nga 2 mijë e 377 qendra votimi nga gjithsej 5 mijë e 199.