Politikë

“Shpërndan dekorata pa vlerë”, Presidenca-Ramës: Kush ka vlerë, zhgarravinat apo pocaqitë e baltës?

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur Edi Ramës pasi në një komunikim me ndjekësit, kryeministri i vendit komentoi vizitën në Korçë duke thënë se kreu i shtetit shpërndan dekorata pa vlerë.

Blushi ironizon Ramën duke e cilësuar si piktor të dështuar anti-vlerë që ka mllef dhe inat për Korçën. Ndër të tjera ngre pyetjen se çfarë ka në të vërtetë vlerë dhe me ironi vijon “Zhgarravinat që shiten si piktura? Apo pocaqitë e baltës që shiten si “vepra arti”?”

Statusi i plotë i Tedi Blushit:

Ç’po na dëgjojnë veshët! Korça e arsimit, artit, kulturës dhe qytetarisë pa vlera? Teatri “Andon Zako Çajupi” pa vlera? Artistët e mirënjohur korçarë pa vlera? Kush ka më shumë vlerë? Zhgarravinat që shiten si piktura? Apo pocaqitë e baltës që shiten si “vepra arti”?  Mllef dhe inat kaq të madh me Korçën e vlerave vetëm një piktor i dështuar anti-vlerë mund të ketë!
Fale o Zot!

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar Presidentin, i cili në këtë 21 janar ishte në Korçë dhe kur u pyet për gazetarët, nuk dha asnjë përgjigje për 11 vjetorin nga vrasja e katër protestuesve.

“Si prisni që Ilir Meta të përgjigjet për 21 janarin? E vetmja gjë që mund të bëjë tjetër vecse të shpërndajë dekorata, dekorata pa asnjë vlerë, kuptim e përmbajtje që janë një tallje e madhe me ata njerëz që për fat të keq shkojnë akoma e marrin dekoratat e Ilir Metës që janë bosh në kuptim përmbajtje e vlerë”, tha Rama.