Bota

Shpërthen vullkani Taal në Filipine!

Pas shpërthimit të madh të një vullani filipinas me mijëra njerëz u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë e tyre të cilat ndodheshin pranë tij. Pas shpërthimit një re e madhe pluhuri dhe hiri u përhap me qinda metra në qiell.  Vullkani Taal, i cili ndodhet në një liqen piktoresk në jug të Manilës, pati një shpërthim “të shkurtër” në orën 7:22 të mëngjesit, tha në një deklaratë Instituti Filipin i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë.

Instituti paralajmëroi gjithashtu se shpërthime të mëtejshme ishin të mundshme, për të cilat tha se mund të shkaktonin rrjedha të rrezikshme vullkanike me lëvizje të shpejtë të gazit, hirit dhe mbeturinave, si dhe një cunami. Banorët e pesë vendbanimeve përreth liqenit u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, në evakuimin e tretë masiv në tre vitet e fundit rreth një prej vullkaneve më aktivë të vendit.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar e cila ka shkaktuar mjaft panik, Cornelia Pesigan, 25 vjeç, një banore e cila kërkoi strehim në një shkollë jashtë “zonës së rrezikut” prej shtatë kilometrash u shpreh se “Binte shi me baltë” ndërkohë që nëna e dy fëmijëve shtoi se “Vinte erë shumë e keqe dhe kisha vështirësi në frymëmarrje”.

Shefi i agjencisë sizmiologjike, Renato Solidum, tha se aktiviteti ishte më i dobët se në janar 2020, kur Taal hodhi hi në 15 kilometra lartësi dhe hodhi lavë të nxehtë, duke shkatërruar shumë shtëpi, duke vrarë bagëti dhe duke dërguar dhjetëra mijëra persona në strehimore. “Nuk ka asnjë kërcënim përtej… pesë fshatrave,” tha Solidum.

Më shumë se 12,000 njerëz jetojnë në komunitetet më të cenueshme, sipas të dhënave më të fundit zyrtare në dispozicion. Filipinet goditen periodikisht nga shpërthime dhe tërmete për shkak të vendndodhjes së saj në “unazën e zjarrit” të Paqësorit një zonë me aktivitet intensiv sizmik.