Rajoni

Shpërthim i fuqishëm në Greqi!

Në Greqi, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në Itea të Grevenasë, në një fabrikë që prodhon lëndë plasëse. Sipas informacioneve paraprake të paktën dy persona janë plagosur dhe tre rezultojnë të zhdukur, ndërsa në fabrikë punonin 30 vetë. Në vendngjarje shkuan 11 zjarrfikës me 4 automjete, si dhe dy grupe të ekipit të emergjencave EMAK.

Sipas dëshmive të para, shpërthimi ishte aq i madh sa gurët e mureve apo copa betoni dhe hekura nga ambientet e fabrikës janë hedhur në një distancë prej 300 metrash dhe është ndjerë deri në një distancë prej 30 km, ndërsa një re e madhe tymi u ngrit në lartësinë qindra metra mbi tokë.

I pyetur për fatin e të zhdukurve pas shpërthimit, një punonjës i shërbimit zjarrfikës në vendngjarje sqaroi se “jo të gjithë prej punëtorëve që punonin, kishin shkuar në atë orë në fabrikë”, ndërsa shtoi se “për fat të keq, mesazhet janë të pakëndshme”, referuar humbjeve të jetës. Dy nga të zhdukurit janë nga Grevenaja dhe një nga Kozani.

Për të plagosurit thuhet se janë larguar nga vendngjarja.

Nënkryetari i Shërbimeve Teknike të Bashkisë së Grevenasë, Christos Trigonis, deklaroi se ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit, që sipas tij, jo vetëm rrafshoi fabrikën, por edhe e shkatërroi krejtësisht. Burime nga komuna e Grevenasë theksuan se gjithë vengjarja është izoluar për arsye sigurie në një distancë prej dy kilometrash.

Fabrika i përket kompanisë ELTEK. E themeluar në vitin 2010 me seli në Agalaio, objekti shtrihet në një sipërfaqe private prej 100 hektarësh, me 14 objekte industriale, disa prej tyre nën tokë për arsye sigurie, depo me një kapacitet total prej 700 tonë lëndë të parë dhe 200 tonë eksploziv.