Bota

Shpërthim në një fabrikë në Slloveni, 10 të plagosur!

Shpërthim i fuqishëm në Slloveni. Raportohet se në juglindje të këtij vendi, sot mbetën të plagosur të paktën 10 persona nga shpërthimi në një fabrikë të lëndëve kimike.

Njerëzve në afërsi të zonës ku ndodhi ngjarja, autoritetet sllovene iu bënë thirrje që të qëndrojnë në mjedise të mbyllura e të shmangin daljet, përveçse në raste të emergjencave të jashtëzakonshme. Shpërthimi u raportua rreth orës 08:30 të mëngjesit në Kocevje, por ende nuk dihen arsyet që e shkaktuan.

Qyteza Kocevje që ndodhet rreth 55 kilometra në juglindje të kryeqytetit Ljubjanë, ka një popullsi prej rreth 8 mijë banorësh. Mediat vendase cituan një zyrtar të policisë sllovene, i cili bëri një deklaratë të shkurtër:

Ne u bëjmë thirrje të gjithë banorëve në zonat e afërta, që të mbyllin dritaret e të mos dalin jashtë gjatë kryerjes së operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Sipas autoriteteve në Slloveni, për të mbajtur nën kontroll situatën u zhvillua mbledhja e një ekipi për Emergjencat, ndërsa krahas policisë, edhe zjarrfikësit e ekipet mjekësore me autoambulanca iu drejtuan fabrikës Melamin. Kompania që e administron ka punësuar rreth 200 punëtorë. Orët në vijim priten më shumë detaje rreth shpërthimit e për gjendjen shëndetësore të të plagosurve.