Aktualitet

Shpërthim tritoli në Shkodër, në shënjestër banesa e një efektivi policie!

Një shpërthim me tritol u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër. Në shënjestër mësohet ka qenë shtëpia e një efektivi policie, i identifikuar si shtetasi Valter Serra.

Nga shpërthimi raportohen vetëm dëme materiale, ndërsa u dëmtua automjeti i tij tip “Volkswagen” dhe një pjesë e banesës. Ngjarja ndodhi në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina, ndërsa janë të paqarta arsyet. Por, paraprakisht policia dyshon se ka ndodhur për shkak të detyrës.

Policia dhe grupi hetimor po merren me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ndërsa do të jetë dëshmia e policit që do të hedhë më shumë dritë.

Njoftimi i Policisë Shkodër:

Më datë 30.12.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Bardhaj, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, para banesës së shtetasit V. S., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër.

Si pasojë është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të këtij shtetasi dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.