Bota

Shpërthime në Kiev, rusët përdorin dronë kamikazë!

Të paktën tre shpërthime u dëgjuan sot në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pas aktivizimit të sirenave. Kryetari i bashkisë, Vitalii Klitschko, bëri të ditur se u dëmtuan godinat e banimit në zonën Shevçenkivsky. Andriy Yermak, shef i Zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se “sulmet u kryen me të ashtuquajturit dronë kamikazë”. Këto sulme raportohen një javë pasi kryeqyteti ukrainas u godit me një mori raketash ruse, duke i shkaktuar vdekjen të paktën 19 personave.

Shpërthimet e sotme u regjistruan rreth orës 07:00 me atë lokale. Klitschko iu bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në vendstrehime të sigurta. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet e javës së kaluar ishin “hakmarrje” për bombardimin e Urës së Krimesë, e vetmja që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë. Putin akuzoi Kievin për këtë sulm, por autoritetet ukrainase nuk e morën përgjegjësinë. Moska e aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Sulmet e javës së kaluar shënuan herën e parë kur qendra e kryeqytetit Kiev, u godit drejtpërdrejt. Javën e kaluar, shefi i Kremlinit deklaroi se nuk ka më nevojë për sulme të shkallës së gjerë në Ukrainë. Sipas tij, shumica e shënjestrave u shkatërruan e shtoi se qëllimi i tij nuk është të shkatërrojë Ukrainën.

Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt. Perëndimi iu përgjigj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve kanë humbur jetën mijëra persona e miliona të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë.

Gjatë muajit të fundit, ushtria ukrainase rimori mbi 600 vendbanime nga forcat ruse, siç bëri të ditur Ministria për Riintegrim e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht. Ndërkohë, Moska vazhdon të kryejë sulme ajrore ndaj disa qyteteve, duke vrarë civilë. Tashmë, Rusia ka shtatë javë që vetëm humb territor, nga koha kur forcat e armatosura të Ukrainës nisën kundërofensivën e tyre në verilindje, lindje, si dhe jug të vendit.