Aktualitet

Shpërthimet në Porto Romano, banorët: “Jemi në rrezik!”

Këtë mëngjes të shtune, bombola gazi shpërthyen në fabrikën e Porto Romanos në Durrës. Pas shpërthimit, banorët u larguan nga zona, për t’u rikthyer kur menjëherë zjarrfikësit shkuan në vend-ngjarje dhe situata u vendos nën kontroll. Lidhur me zbardhjen e shkaqeve, autoritetet nisën hetimet.

Në fabrikën ku ndodhi shpërthimi, bëhet mbushja e bombolave të gazit për tregtim, ndërsa banorët kërkojnë më shumë siguri. Dikur e destinuar si zonë industriale, në dekadat e fundit, nisi të popullohet nga familjarë dhe u ngritën biznese. Vite më parë, po në këtë hapësirë gjendej një fabrikë lëkurësh që ndikonte në ndotjen masive të mjedisit.

Në media, banorët e Porto Romanos, të cilët jetojnë pranë zonës ku ndodhet fabrika e gazit kanë treguar se shpërthimet ishin shumë të fuqishme. Ata shprehen të alarmuar.

Këto kanë shpërthyer shumë herë, tre herë brenda ditës. Ky është problem! Rrezikohesh se këtu ka helm, nga shpërthimi, djeg rrushin. Shpërtheu si dinamit dhe lajmëruam zjarrfikësit. Ishim të tmerruar, me fëmijë, me gruan, u larguam. Nuk ka siguri, ky tha do të bëj fabrikë çokollatash e gënjeu!

Ndodhën 2-3 shpërthime njëri pas tjetrit. U alarmuam e morëm fëmijët e gratë dhe u larguam. Këto sot ishin shumë të fuqishme. Lajmëruam policinë dhe erdhën. Janë të rrezikshme, nuk lejohen bombula gazi këtu. Se si fillim gënjyen se çfarë fabrike do të bënin dhe bënë fabrikë gazi.

Isha në gjumë, vetëm kur dëgjova shpërthim, herën e dytë dëgjova duke u tronditur krejt shtëpia. Kur dola në oborr, pashë re të mëdha gazi. Më pas, pashë tym të zi e punëtorët duke bërtitur. Isha i tmerruar dhe u larguam, morëm makinën e ikëm. Na u rrezikua banesa. Ka pasur shpërthime të vogla, vinte era e gazit. Si shpërthimet e rusëve në Ukrainë, dinamit.