Bota

Shpërthimi i koronavirusit, bllokon turistët në “Hawaii”-n e Kinës!

Raportohet se më shumë se 80 mijë turistë janë bllokuar në qytetin Sanja në Kinë, pasi autoritetet morën vendim për izolimin e tij, për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Në përpjekje për të kontrolluar përhapjen, autoritetet kineze anuluan të gjitha fluturimet dhe udhëtimet me tren nga Sanja, që ndryshe njihet edhe si “Hawaii i Kinës”, referencë për shtetin amerikan perëndimor, pranë Oqeanit Paqësor. Një ditë më parë, aty rezultuan 263 raste pozitive me COVID-19.

Dalja nga qyteti është një peripeci më vete. Të gjithë udhëtarët duhet të kenë pesë teste negative për koronavirus, që kërkohet të jenë kryer në shtatë ditët e fundit, në mënyrë që t’iu mundësohet ikja nga Sanja. Kina është ndër shtetet e pakta në botë, që ende zbaton politikën e “zero rasteve me COVID-19”. Sipas të dhënave të Universitetit amerikan “Johns Hopkins”, ky vend aziatik ka regjistruar më pak se 15 mijë vdekje me koronavirus prej kohës së shpërthimit të pandemisë.

Ndërkohë ka shqetësime të forta për ndikimin e kufizimeve kaq të ashpra në ekonomi. Masat e rrepta e shtrënguese në Sanja, qytet në jug të ishullit Hainan, janë bërë të ditura në pikun e sezonit turistik. Shërbimet thelbësore, të tilla si dyqanet ushqimore dhe farmacitë mbeten të hapura, por qendrat e argëtimit janë mbyllur prej javës së kaluar, referuar raportimeve të agjencisë së lajmeve AFP.

Sanja nuk është qyteti i vetëm kinez që i është nënshtruar izolimit në muajt e fundit. Rreth një milion njerëz në një lagje të Wuhanit, vendit ku për herë të parë u identifikua koronavirusi në dhjetor të vitit 2019, tashmë janë izoluar pas identifikimit të vetëm katër rasteve asimptomatike me koronavirus.

Për shkak të përhapjes në nivel global, më 11 mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e shpalli koronavirusin “pandemi”. Deri tani janë regjistruar mbi 6 milion njerëz që kanë humbur jetën, duke mos i mbijetuar pasojave vrastare të virusit në organizëm.