Bota

Shpërthimi i ri i COVID-it, Pekini teston miliona banorë!

Në kryeqytetin kinez, Pekin, sot autoritetet po rrisin përpjekjet për të penguar përhapjen e koronavirusit. Kjo pas identifikimit të një shpërthimi të ri, në një bar të njohur për pije të lira alkoolike dhe prani masive. Shqetësimi më i fundit ka të bëjë me regjistrimin e të paktën 200 infektimeve me koronavirus, të lidhur më këtë vatër.

Lokali në fjalë u rihap javën e kaluar, pas heqjes së kufizimeve për pandeminë dhe ndërkohë, tregon sa e vështirë do të jetë për Kinën të zbatojë politikën e “zero-rasteve me COVID”, në kohën kur pjesa më e madhe e botës është duke tentuar të mësohet që të bashkëjetojë me virusin.

Çaojang, rajoni më i madh i Pekinit në të cilin gjendet bari, këtë fillimjavë nisi testimin masiv të 3.5 milion banorëve. Deri tani janë identifikuar 10 mijë kontakte të ngushta, që siç raportohet, u vunë në izolim. Burime nga terreni tregojnë se nëpër lagje janë instaluar barriera të mëdha metalike e punonjës shëndetësorë shihen duke dezinfektuar të gjitha mjediset.

Shpërthimet e reja me koronavirus janë duke rritur shqetësimet për ekonominë e Kinës dhe ndikimin në botë. Shteti kinez vazhdon me përpjekjet e rimëkëmbjes, pas izolimit dymujor në Shangai.

Ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar si filloi COVID-19, duke përfshirë një analizë më të detajuar të mundësisë së një aksidenti laboratorik. Ky qëndrim shënon një përmbysje të mprehtë të vlerësimit fillestar të agjencisë për origjinën e pandemisë. Vitin e kaluar, OBSH-ja arriti në përfundimin se ishte “jashtëzakonisht pak e mundshme” që COVID-19 u përhap te njerëzit nga laboratori.

Shumë shkencëtarë dyshojnë se koronavirusi u transmetua te njerëzit nga lakuriqët e natës, përmes kafshëve të tjera. Në raportin më të fundit të publikuar, grupi i ekspertëve të OBSH-së tha se “ende mungojnë të dhënat kryesore, që do ta sqaronin si filloi pandemia”. Ata thanë se grupi “do të mbetet i hapur për të gjitha provat shkencore, të aksesueshme në të ardhmen, që të mundësohet testimi gjithëpërfshirës i të gjitha hipotezave të arsyeshme”. Për shkak se aksidentet laboratorike kanë shkaktuar disa epidemi në të kaluarën, kjo teori, shumë e politizuar, nuk mund të hidhet poshtë.