Aktualitet

Shpërthimi në hotelin në Velipojë, ndërron jetë 19-vjeçarja, në gusht martohej!

Një javë pas shpërthimit të bombolës së gazit në hotelin e familjes në Velipojë, 19-vjeçarja Daniela Gjoka nuk ia doli të mbijetojë.

E reja që planifikonte të martohej muajin e ardhshëm ndërroi jetë në një spital në Itali ku u dërgua për mjekim të specializuar me nënën e saj Alketa Gjoka, motrën 15-vjeçe dhe vëllain 12.

Më 4 korrik, hoteli i tyre 3-katësh u përfshi nga flakët si pasojë e rrjedhjes së gazit tek një bombol kampingu 3-5 kg. që të katërt pjesëtarët e familjes morën djegie të rënda në pjesën më të madhe të trupit.

Për këtë ngjarje u arrestua tregtari Petrit Mollja, i dyshuar se i shiti gazin familjes Gjoka. Sipas policisë, 46-vjeçari, tregtonte në kundërshtim me ligjin dhe iu bllokua aktiviteti.

Mollja akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.