Bota

Shpërthimi në Liverpool ishte akt terrorist! (Video)

Vijojnë hetimet për shpërthimin e një dite më parë në Liverpool, në veri-perëndim të Anglisë. Ngjarja që ndodhi para një spitali, u klasifikua sot si “akt terrorist” nga zyrtarët e policisë britanike. Shpërthimi ndodhi brenda një taksie, duke lënë të vdekur pasagjerin ndërsa shoferi u plagos.

Shoferi i taksisë i identifikuar si David Perry, u shpall hero i qytetit nga kryetarja e bashkisë, Joanne Anderson, pasi arriti të bllokojë dyert e automjetit duke mos i dhënë mundësi viktimës që me pajisjen e improvizuar shpërthyese të realizonte një tragjedi të përmasave të mëdha. Edhe vetë Perry mori lëndime, por që nuk janë kërcënuese për jetën. Në vlerësim të aktit heroik, deri tani janë mbledhur 15 mijë paund nga qytetarët.

Në lidhje me atë që ndodhi dje, autoritetet e antiterrorit arrestuan katër persona. Ata po hetojnë, në bashkëpunim me policinë lokale. Gjithçka po analizohet me detaje e për shkak të sekretit hetimor, nuk jepen shumë informacione. Kryeministri britanik, Boris Johnson u shpreh se ndjen keqardhje për personat e prekur në këtë ngjarje.