Rajoni

Shpifja vepër penale në Republikën Sërpska të Bosnjës, BE-ja: Tërhiquni!

Bashkimi Europian shpreh keqardhje për ndryshimet ligjore të Republikës Sërpska në Bosnjë, duke e bërë shpifjen “vepër penale”. Sipas Unionit, këto ndryshime do të vendosin kufizime të panevojshme e disproporcionale për lirinë e mediave dhe shoqërinë civile.

Kur Bosnjë-Hercegovinës iu dha statusi i kandidatit, u përcaktuan edhe hapat që duhen ndjekur, përfshirë forcimin e lirisë së shprehjes e të mediave. Qartazi, vendimi është hap në drejtimin e gabuar e ka efekt dëmtues në lirinë e mediave në Republikën Sërpska. Në të njëjtën kohë, vë në dyshim edhe përkushtimin strategjik të partisë në pushtet në Republikën Sërpska, për integrimin e Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Europian.

BE-ja i bën thirrje Republikës Sërpska ta tërheqë këtë ndryshim e të sigurojë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave. Bosnjë-Hercegovina duhet të respektojë prioritetet që i caktoi Komisioni Europian në opinionin për statusin e kandidatit, përfshirë ato që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes.

Për diplomatët e Unionit, shpërsimi i ligjit penal për të ndëshkuar gazetarët në entitetin serb të Bosnjës përbën tentativë nga lideri Milorad Dodik për të heshtur mediat kritike ndaj tij. Një ditë më parë, Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska, paraprakisht miratoi ligjin që parashikon gjoba të larta për shpifje, çka shkaktoi shumë kritika nga punonjësit e medias e sektori privat.

Pasi miratohet si draft, projektligji pjesë e të cilit është kriminalizimi i shpifjes, kalon në një diskutim publik dymujor e më pas kthehet në Kuvend në formë propozimi. Nëse më pas Asambleja miraton propozimin për ndryshimin e Kodit Penal, shkon në Këshillin e Popullit të Republikës Sërpska për votim. Gjobat shkojnë rreth 2 mijë e 500 në 60 mijë euro.

Dënime më të larta parashikohen në rastet kur shpifja është paraqitur në media, përfshirë rrjetet sociale. Nuk shpëtojnë as ata që publikisht tallin ose përbuzin një person ose grup, për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, fesë, kombësisë ose origjinës etnike, orientimit seksual apo identitetit gjinor. Partitë opozitare kërkuan tërheqjen e draftit, duke e quajtur “shtypës”.

Po dje, Qeveria e Republikës Sërpska miratoi projektligjin përmes të cilit, organizatave të financuara nga jashtë e që veprojnë në njësinë serbe të Bosnjës, iu kërkohet të regjistrohen e të raportojnë për punën e tyre.