Aktualitet Rajoni

“Shqipëri-Kosovë Jena 1”. Nis zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën!

Zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën ka nisur në portin e Durrës në fillim të këtij muaji.

Kryeminstri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale fotot nga procesi i zhdoganimit në portin më të madh të vendit.

“Ja ku ka nisur edhe zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën dhe deti ynë nuk është më edhe i Kosovës veç për turizëm, po është edhe i Kosovës për tregti”, shkruan kryeministri krahas fotove.

Zhdoganimi i mallrave në këtë port i mundëson Kosovës të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe homologu i saj i Kosovës Hekuran Murati, të shoqëruar nga Drejtorët e Doganave të të dyja shteteve, vizituan sot zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.

 “Sot është një ditë e rëndësishme kur bëhet më në fund operative dhe funksionon për të gjithë bizneset zhdoganimi në portin e Durrësit. Janë rreth 1040 kompani të Kosovës të cilat përdorin portin e Durrësit dhe këto kapacitete çdo vit për të zhdoganuar mallrat e tyre dhe nga sot jo vetëm që do të kenë lehtësirat për të cilat dy qeveritë kanë rënë dakord mes njëra-tjetrës, përsa i përket problematikave të peshimit apo të plumbçosjes, apo edhe të heqjes së tarifave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për bizneset e Kosovës, por nga ana administrative dhe burokratike ka një lehtësi shumë më të madhe, e cila jo vetëm do të shkurtojë kohën dhe kostot e zhdoganimit”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha se hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit është një arritje e jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, kursen kohën dhe kostot për biznesin dhe i kursen rreth 2 milionë euro bizneseve që kryejnë tregti përmes portit të Durrësit.

Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durrësit që nga viti 2019, por deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinacion Kosovën, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.

Në mbledhjen e fundit në mes të dy qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, u nënshkrua marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.