Aktualitet

Shqipëri-Spanjë firmosin marrëveshje për grup të përbashkët hetimi kundër krimit!

Marrëveshje Shqipëri-Spanjë për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Kjo duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore e të hetimit, që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme. Në selinë e Kryeministrisë, dokumenti u siglua nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Álvaro Renedo Zalba, në prani të kryeministrave Rama e Sanchez, i cili po zhvillon vizitë zyrtare në vendin tonë.

Marrëveshja e sotme ndërmjet Tiranës e Madridit adreson nevojën e një bashkëpunimi ndërkombëtar më ambicioz, për të luftuar me efikasitet të gjitha format e krimit të organizuar, në veçanti organizatat kriminale që kanë si objekt trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal dhe terrorizmi.

Përdorimi i instrumenteve të inteligjencës policore dhe hetimit nga Shqipëria e Spanja, konsiderohet si një nga metodat më të avancuara të bashkëpunimit policor ndërkombëtar. Kjo për të zhvilluar hetime komplekse të organizatave kriminale që operojnë në disa shtete e për të shkëmbyer informacion në kohë reale.

Gjithashtu, kujtojmë se Shqipëria dhe Spanja kanë realizuar disa operacione për goditjen e grupeve kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit, si ai i koduar “Dobra” që çoi në pranga mbi 100 persona, si dhe angazhoi më shumë se 400 oficerë policie në Spanjë, Shqipëri e Gjermani.

Përveçse me Spanjën, po ashtu, Shqipëria ka ngritur një seri skuadrash hetimore edhe me vende të tjera të Bashkimit Europian. Vlerësohet se ato kanë dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë, ndalesa në Tiranë e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez mbyll turin e tij rajonal me vizita edhe në Serbi, Malin e Zi, Bosnjë e në Maqedoninë e Veriut. Shefi i qeverisë së Madridit pati një takim me homologun Rama, me të cilin doli edhe në një konferencë për shtyp.