Aktualitet

Shqipëria 14 vite në NATO, Presidenti Begaj: Krenarë që i kontribuojmë paqes dhe sigurisë!

Sot Shqipëria shënon 14-vjetorin e anëtarësimit në NATO, mes një procesi reformimi e modernizimi të Forcave tona të Armatosura, si edhe të tjera aspekteve që lidhen me sigurinë dhe me mbrojtjen e vendit.

Më 1 prill të vitit 2009, vendi ynë u bë anëtar me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut-NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha shtetet aleate. Po ashtu depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit, mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik e një objektiv parësor të politikës së Jashtme, për të përparuar ndjeshëm në realizimin e interesave kombëtare.

Si anëtare me të drejta të plota e NATO-s, paraqitja e parë e Shqipërisë u bë në Samitin e Aleancës më 4 prill 2009.

Më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë e Kroacisë në NATO. Një ditë më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

Për këtë ditë të rëndësishme, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shkruan se “Shqipëria është krenare që kontribuon për paqen dhe sigurinë”. Postimi i Kryetarit të Shtetit:

14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë!

Ndër të tjera, Shqipëria ka ofruar kontributin në operacionet ndërkombëtare të paqes, të drejtuara nga NATO, si edhe nga Bashkimi Europian, BE e Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB. Vendi ynë është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve e misioneve ndërkombëtare si në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mali, në Detin Egje, Letoni, Irak e gjithashtu në Afganistan.