Aktualitet

Shqipëria akuza Rusisë për bllokimin e Këshillit të Sigurimit!

Tirana zyrtare shpreh keqardhje që në shumë raste Këshilli i Sigurimit duket si jofunksional. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, akuzon Rusinë se po e bllokon, për shkak të asaj që e quan “agjendë të paligjshme ekspansioniste”. Po ashtu, “për hir të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj rendit të bazuar në rregullat ndërkombëtare”. Kryediplomatja priti Grupin Informal të Punës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për Dokumentacionin dhe Çështjet e Tjera Procedurale.

Ministrja Xhaçka theksoi se “bota nuk ka luksin të përballojë të ketë një Këshill Sigurimi që nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij parësore, garantimin e sigurisë e paqes botërore”. Për tre ditë me radhë, zyrtarë të vendeve anëtare të Këshillit, studiues të përzgjedhur e nga Divizioni i Çështjeve të Këshillit të Sigurimit mblidhen në Tiranë për të ndarë idetë, pozicionet dhe mendimet mbi avancimin e metodave të punës së këtij organizmi.

Eshtë për të ardhur keq që në shumë raste Këshilli i Sigurimit duket si jofunksional. Nganjëherë është i paralizuar dhe bëhet i pafuqishëm, i paaftë për të vepruar pikërisht atëherë kur bota ka më shumë nevojë për të. E kam fjalën për agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës, që po bëhet nga një anëtar i Këshillit të Sigurimit, i cili, kjo është vërtet një ironi shumë e hidhur, po abuzon me rolin e tij si mbrojtës i paqes dhe sigurisë botërore, duke bllokuar Këshillin për hir të agjendës së tij të paligjshme ekspansioniste dhe për hir të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj rendit të bazuar në rregullat ndërkombëtare.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mblidhet të hënën në orën 15:00 për të diskutuar aneksimin nga Rusia të katër rajoneve të Ukrainës. Kjo vjen pasi Shqipëria dhe SHBA paraqitën një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që dënon referendumet ruse, por Moska vuri veton e saj. Referendumet e Kremlinit në rajonet ukrainase konsiderohen si të rreme nga Perëndimi.