Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit, reagojnë Rama, Meta, Kim e Soreca!

Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB, një ngjarje kjo historike për vendin tonë. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë ngjarje si lajm të bukur, teksa ka publikuar edhe rezultatet e votimit, ku nga 190 vende që votuan, Shqipëria u mbështet nga 175.

‘Lajm i Bukur! Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023’- shkruan Rama.

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur zgjedhjen si anëtare të përkohshme të Shqipërisë në Këshillin e sigurimit në OKB, duke thënë se kjo është një sfidë e jashtëzakonshme që do të përmbushet me përgjegjësi nga vendi ynë.

“Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme”, shkruan Meta.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

‘Ngjarje historike! Urime Shqipërisë që u zgjodh për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB. SHBA pret të punojë me Shqipërinë edhe më ngushtë në rajon dhe në botë. Urime!’- shkruan Yuri Kim

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka uruar Shqipërinë për zgjedhjen e saj si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit në OKB. Soreca shkruan se kjo është një ditë historik për popullin shqiptar dhe vendin dhe se pret që të bashkëpunojë më ngushtë me Shqipërinë për çështjet globale.

“Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj. Urime për zgjedhjen si anëtar i Këshillit të Sigurimit 2022-2023! Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale”, shkruan Soreca.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u zhvillua sot (11 qershor) në New York dhe u votua për 5 shtetet e reja të cilat do të ishin anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.

Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit Shqipëria e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018. Pas Presidencës së OSBE-së, kjo është një nga arritjet edhe më të madha në arenën ndërkombëtare për Shqipërinë, e cila e merr mandatin në janar të vitit 2022.