Aktualitet

Shqipëria dakord me pezullimin e “pasaportave të arta”, Borrell përshëndet Ramën!

Shqipëria dakordësi me Bashkimin Europian për pezullimin e “pasaportave të arta”. Në konferencën me kryediplomatin europian Borrell dhe eurokomisionerin Varhelyi, pas takimit të radhës së Këshillit të Stabilizim-Asociimit, kryeministri Rama deklaroi pezullimin e procesit deri kur qëndrimi të sqarohet në nivel europian. “Nëse gjykata europiane vendos kundër çështja është e mbyllur, nëse vendos pro, është në zgjedhjen e vendeve”, tha shefi i qeverisë. Borrell përshëndeti deklaratën.

Ndërkaq, nuk ka hapa pas për amnistinë fiskale, por qeveria do të vazhdojë të punojë me ekspertët e BE-së për draftin final.

Qëndrimi ynë është i ditur për amnistinë fiskale. Vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit dhe delegacionit për të na ofruar ekspertizë. Duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Nuk heqim dorë sepse kemi të gjithë arsyet për të menduar që është gjëja e duhur për Shqipërinë. Nga ana tjetër, duam që këtë gjë ta bëjmë bashkë, prandaj ju falënderoj për ekspertizën. Duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut. Sot është një draft tërësisht i ri, falë ekspertizës që na keni ofruar.

BE-ja ka në vëmendje edhe legalizimin e kanabisit mjekësor, për të cilin kryeministri u shpreh se ka përfunduar procesi i konsultimit.

Do të vazhdojmë në Parlament, duke pasur shumë të qartë se nuk është çështja si e shkruajmë, por si e zbatojmë.

Ndërsa reforma në Drejtësi është pikë kyçe për procesin e integrimit europian, Rama siguroi BE-në se qeveria nuk do të jetë avokate e atyre që duhet të përballen me drejtësinë.

Reforma në Drejtësi po jep rezultate. Natyrisht që zbatimi ka problemet e veta, ka ferra e gropa, por nuk kemi vënë në diskutim dhe kemi bërë të qartë që cilido ka punë me drejtësinë, të marrë avokat. PS dhe qeveria nuk ofrojnë shërbime avokatie për askënd. Kjo është arritje domethënëse në një proces ku duam të hyjmë në një fazë të re me prokurimet publike. Po përgatisim një reformë që do të përmbysë tërësisht sistemin e zbatimit të Prokurimeve Publike.

Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut është ndalesa e radhës e dy zyrtarëve të lartë europianë, Borrell e Varhelyi për mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asoci’imit me vendin fqinj që përfaqësohet nga kryeministri Kovaçevski.