Aktualitet

Shqipëria drejt uljes së grupmoshës së vaksinimit anti-COVID, nesër vendimi!

Dozë e tretë e vaksinës anti-COVID, vaksinim për moshat +16/vjeç e për ata plus 12-vjeç me probleme shëndetësore. Këto janë rekomandimet e Komitetit Teknik të Vaksinimit, për të cilat pritet nesër një vendim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:

Eshtë mbledhur Komiteti Teknik i Vaksinimit, që përgjatë fundjavës së shkuar, diskutoi e rekomandoi realizimin apo vendosjen në protokoll të dozës së tretë ose të dozës booster, siç quhet ndryshe. Gjithashtu, rekomandoi uljen e fashës së grupmoshës për vaksinim, plus 16-vjeç dhe vaksinimin plus 12-vjeç, por vetëm për ata fëmijë që kanë problematika shëndetësore. Këto rekomandime, të cilat kanë dalë nga Komiteti Teknik i Vaksinimit do të diskutohen ditën e nesërme dhe do të ketë një vendim të Komitetit Teknik të Ekspertëve për përgjigjen ndaj COVID-19.

Manastirliu vuri në dukje se të pavaksinuarit përbëjnë mbi 95% të rasteve të shtrimeve në spitale.

Nga Shkodra, ministrja njoftoi edhe se nga nesër do të fillojë shpërndarja e vaksinave të gripit.

Fillimisht në stafet mjekësore e më pas në gjithë popullatën target, për t’u vaksinuar ndaj gripit.

Numrin e lartë të studentëve të pavaksinuar kundër COVID-it, Manastirliu nuk e konsideron çështje mosbindjeje.

Janë rektorët e stafet pedagogjike që duhet të kontribuojnë për të rritur përqindjen e vaksinimit. Skenari është ky, ndërgjegjësim, informim, sensibilizim për të mbrojtur shëndetin dhe jetën!

Për cilësinë dhe afatet e skadencës së vaksinës kineze, ministrja e Shëndetësisë garantoi:

Të gjitha vaksinat që qarkullojnë në territorin e Shqipërisë janë të njohura nga EMA, FDA ose OBSH. Të gjitha, janë të kontrolluara edhe për afatet. I garantoj qytetarët që vaksinat janë të certifikuara e të njohura nga OBSH.