Sport

Shqipëria fiton miqësoren ndaj Kosovës

Shqipëria fitoi 2-1 në miqësoren ndaj Kosovës, ndeshje e luajtur në “Elbasan Arena”. Golat u shënuan nga Balaj dhe Uzuni. Kjo vëllazërore u zhvillua për të parë nivelin dhe përgatitjen fizike të lojtarëve para ndeshjeve të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve. Shqipëria do të luajë ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë përkatësisht më 15 dhe 18 nëntor.

Kujtojmë se trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja ka rikthyer në ekip për këto dy ndeshje kapitenin Elseid Hysaj e mbrojtësin Ardian Ismajli, që munguan në grumbullimin e tetorit, ashtu siç janë rikthyer edhe emra të tjerë si Ledian Memushaj, Bekim Balaj e Sokol Cikalleshi.

Mungon ndërkohë mbrojtësi Marash Kumbulla e portieri Thomas Strakosha, i cili po kalon peripeci me dëmtimin dhe koronavirusin dhe nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit të Lazios. Ndërkaq në portë janë thirrur Berisha, Hoxha e Marko Molla.