Bota

Shqipëria i bashkohet Konferencës së Donatorëve për Ukrainën!

Shqipëria i bashkohet sot Konferencës së Donatorëve për Ukrainën, që zhvillon punimet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë. Pas video-mesazhit të presidentit Volodymyr Zelensky në Kuvendin e Shqipërisë, dy ditë më parë, kryeministri Rama i shprehu mbështetjen dhe miqësinë e vendit tonë në luftën me pushtuesit rusë. Rama e quajti “të përbashkët”, mbështetjen ndaj rezistencës ukrainase, kundër Rusisë.

Një armëpushim i paralajmëruar nga Rusia nis sot në kompleksin industrial Azovstal në Mariupol, me qëllim evakuimin e civilëve, por ushtarët ukrainas aty, zotohen të luftojnë deri në fund kundër pushtuesve. Ndërsa një ditë më parë, Brukseli zyrtar propozoi një embargo të plotë mbi naftën ruse, Moska njoftoi armëpushim treditor në Azovstal.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi:

Forcat e armatosura ruse do të hapin korridoret humanitare nga ora 08:00 deri më 18:00, në datat 5, 6 dhe 7 maj, që të evakuohen civilët nga Azovstali në Mariupol.

Presidenti ukrainas Zelensky tha se “civilë, përfshirë gra e fëmijë, ende janë të bllokuar brenda qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit dhe një armëpushim i zgjatur është i nevojshëm për të siguruar evakuimin e tyre”.

Pasi dështoi që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, në javët e para të luftës së nisur më 24 shkurt e që deri tani ka shkaktuar mijëra të vrarë, Rusia po intensifikon sulmet në lindje dhe jug të Ukrainës, ku gjendet qyteti-port i Mariupolit. Më 21 prill, trupat ruse shpallën fitore në këtë qytet kyç për përpjekjet e Moskës që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Zi e të lidhë territoret nën kontrollin rus.

Prej fillimit të kësaj jave, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqi i Kuq kanë evakuar qindra persona nga Mariupoli e të tjera zona të Ukrainës, ku luftohet. Por, vlerësohet se gjithashtu janë rreth 200 civilë, si dhe ushtarë ukrainas, që ende gjenden në bunkerët e uzinës së çelikut Azovstal në Mariupol.