Aktualitet

Shqipëria kryeson në rajon, si dhe lë pas vende të Bashkimit Europian për ritmin e vaksinimit anti-COVID

Barometri Global për Ritmin e Vaksinimit kundër koronavirusit në 7 ditët e fundit e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor. Bazuar në të dhënat e tij, në rajon lëmë pas edhe Serbinë e gjithashtu shtete të Bashkimit Europian si Franca, Italia, Gjermania e Greqia. Referuar këtyre të dhënave, kryeministri Rama shkruan:

Ne do ta fitojmë këtë luftë me lidership, organizim, këmbëngulje e durim të madh dhe përmes vaksinimit të pandalur masiv do të kemi një sezon turistik të lehtësuar ndjeshëm.

Të dhënat e Barometrit Global për ritmin e vaksinimit 7 ditët e fundit, i rendisin vendet sipas shpejtësisë me të cilin është kryer vaksinimi masiv në një javë. Një grafik mat mesataren 7-ditore për 100 persona ndaj popullsisë së përgjithshme. Matja merr parasysh dhënien e dozës së parë.

Në vendin tonë prej më shumë se një jave ka nisur vaksinimi masiv anti-COVID i popullsisë sipas Programit Kombëtar të Vaksinimit ku po vaksinohen moshat mbi 70-vjeç, mësuesit, pedagogët, punonjësit e medias dhe uniformat blu. Deri më sot janë vaksinuar mbi 192 mijë qytetarë. Nga Pogradeci, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se “Objektiv është që sot të arrihet në 200 mijë vaksinime kundër koronavirusit”.

Po në Pogradec, shefi i qeverisë Edi Rama bëri të ditur  se brenda javës pritet të mbërrijë një sasi shtesë vaksinash.