Aktualitet Food & Drink

Shqipëria me nivelin më të lartë në Europë të pasigurisë për ushqim!

Rreth një në tre shqiptarë vuan nga pasiguria për ushqim për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera. Të dhënat e fundit në raportin “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerit në Botë në 2022” publikuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi në Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se mesatarja në vitet 2019-2021 e përqindjes së popullsisë që bien në treguesin e emërtuar si “prevalenca e pasigurisë ushqimore” është 30.9 për qind. Kjo mesatare është ulur në raport me vitet 2014-2016 kur përqindja ishte 38.8 për qind.

Nëse këtë përqindje e ndajmë dhe marrim vetëm pjesën e atyre që kanë pasiguri ushqimore të rënduar treguesi që regjistron Shqipëria është 7.7 për qind për tre vitet e fundit. Ky tregues ka shënuar gjithashtu përmirësim në raport me anketën paraardhëse kur rezultati ishte 10 për qind e popullatës.

Në rajonin e Europës Jugore ku llogariten një sërë shtetesh, vendi ynë është ai që ka nivelin më të lartë të popullatës që kanë pasiguri ushqimore të lehtë apo më të ashpër. Maqedonia e Veriut llogarit 20.9 për qind të popullatës në vitet 2019-2021 ndërkohë që Serbia 14.1 për qind. Pas tyre vjen Mali i Zi me 14 për qind, Bosnjë-Hercegovina me 12.6 për qind dhe Kroacia me 11.4 për qind. Europa Perëndimore e ka këtë tregues vetëm 4.4 për qind.

Treguesi i prevalencës së pasigurisë ushqimore të moderuar ose të ashpër. Raporti shpjegon se çfarë është në fakt ky tregues e si llogaritet.

Prevalenca e pasigurisë ushqimore e matur nga shkalla e eksperiencës së pasigurisë ushqimore Përcaktimi: Pasiguria ushqimore e matur nga ky tregues limitohet nga aksesi në ushqim e individëve apo familjarëve për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera. Ashpërsia e pasigurisë së ushqimit matet nga të dhënat që mblidhen nga moduli i anketës Shkalla e Eksperiencës së Pasigurisë së Ushqimit (FIES-SM) një set me tetë pyetje që i pyet të intervistuarit të raportojnë kushtet dhe eksperiencën e tyre lidhur me aksesin e kufizuar në ushqim.

Për qëllime të monitorimit vjetor të SDF, pyetjet bëhen në referencë të 12 muajve para anketës. “Duke përdorur teknika statistikore të sofistikuara që bazohen në modelin e matjes RASCH informacioni i marrë në anketë përpunohet dhe konvertohet në sasior” shpjegohet në raport./Monitor