Aktualitet

Shqipëria me numrin më të lartë në rajon për azilkërkuesit në BE në 6-mujorin e parë 2023!

Shqipëria regjistroi numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE në 6-mujorin e parë të vitit, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Agjencisë Europiane të Emigracionit tregojnë se 4 mijë e 779 azilkërkues nga vendi ynë kërkuan azil në BE. Nga Maqedonia e Veriut ishin 3 mijë e 603, nga Serbia 2 mijë e 570, nga Bosnja 851 dhe nga Mali i Zi 179 azilkërkues.

Tendenca e aplikimeve për azil të shqiptarëve vijon tejet e lartë. Të dhënat e gjysmës së parë të vitit tregojnë për shifrat më të larta të aplikimeve për azil të shqiptarëve krahasuar me vitet e fundit. Gjysma e parë e vitit ka dëshmuar një zhvendosje të madhe të kërkesave për azil të shqiptarëve nga Europa drejt Britanisë së Madhe.

Aplikimet për azil në vendet e BE arritën 519 mijë në janar-qershor 2023, me një rritje prej 28% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Sirianët vazhduan të parashtronin shumicën e kërkesave për azil në BE. Në gjysmën e parë të vitit, depozituan 67 mijë aplikime ose 47% me pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Të dhënat tregojnë se kërkesat për azil nga Rusia ishin të larta, me rreth 12 mijë persona, ndërsa nga Ukraina afro 7 mijë vetë.

Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve është rikthyer fort pas pandemisë, teksa shqiptarët po largohen duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani të Madhe, me gomone.

Pa përjashtim në të gjithë sektorët, bizneset konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit si sfidën më të madhe të aktivitetit vitin e kaluar. Këtë vit, largimet ishin kaq të mëdha sa konsumi ka pësuar rënie të beftë në artikuj si brumërat, sheqernat, etj.

Shqipëria po humb miliarda dollarë nga investimet në arsim ndërsa sistemi i pensioneve po vihet në rrezik nga reduktimi i forcës së punës që paguan sigurime. Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve. /Monitor