Aktualitet

Shqipëria nën darën e rrebesheve të shiut, kthjellimet rikthehen më…

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit pas mesdite. Ndonëse ishte e paralajmëruar nga sinoptikanët, moti i keq ka sjellë jo pak pengesa këtë periudhë turistike, kur vendi është i “pushtuar nga turistët, vendas edhe të huaj.

Gjatë natës dhe mëngjesit ka pasur reshje të pakta në pjesën më të madhe të vendit, jo më shumë se 7 mm ndërsa reshje disi më të konsiderueshme ka pasur në zonën lindore, rreth 20 mm.

Sipas Meteoalb, pritet që pas orës 13:00 deri rreth orës 19:00, reshjet të intensifikohen në zonat Pukë, Kukës, Dibër, Burrel, Rrëshen, Krujë, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ku pritet që intervali 6-7 orësh të sjellë reshje shiu nga 20 mm deri 50 mm.

Këto sasi konsiderohen problematike për kohë kaq të shkurtra, por në mbrëmje do të ulet intensiteti i reshjeve.

Sa i përket temperaturave, shifra maksimale është shënuar rreth orës 11:00 në qarkun e Shkodrës me 30 gradë celsius, ndërsa Tirana dhe shumë qytete të tjera kanë qëndruar rreth 28 gradë celsius.

E hëna mbetet me mot të paqëndrueshëm, që do të thotë shira të dobët dhe ndonjë rrebesh i izoluar, por kthjellimet do të jenë të shumta. Prandaj priten rritje të temperatura në mesditë deri në 32 gradë celsius.

Era problematike do të jetë nga mesdita deri vone pasdite, ndërsa deti me dallgë rreth 3-4 ballë. Nga e marta e në vijim pritet stabilizimi i kushteve te motit dhe rritje graduale e temperaturave.