Aktualitet

Shqipëria pa kufizime anti-COVID që nga 1 qershori?

Prej disa javësh, Shqipëria po njeh përmirësim të ndjeshëm sa i përket situatës së koronavirusit dhe ndonëse ende nuk ka një vendim për heqjen e orës policore, në fuqi deri në 22:00 të mbrëmjes, zëra nga maxhoranca sinjalizojnë se për një hapje të plotë duhet të presim qershorin.

Kryetari socialist për Tiranën, Ervin Bushati shprehet për 1 qershorin.

Ky do të jetë një vit shumë i mbarë do të kemi hapje të shoqërisë, edhe ekonomia do të rindezë motorët. Shqipërinë e pret një vit i mbarë në 2021. Shumë shpejt do të shikojmë një Shqipëri tjetër në verë. Besoj se më 1 qershor, vendi do të hapet totalisht!

Pas shifrave të frikshme të muajve të parë të vitit, në veçanti maji ka hyrë me rënie të ndjeshme të numrit të të infektuarve me koronavirus e gjithashtu të viktimave apo shtrimeve në spitale.

Ritmi ndjeshëm më i lartë i atyre që negativizohen, krahasuar me infektimet e reja, ka bërë që numri i rasteve ende aktive, të tkurret me shpejtësi. Gjithashtu, Shqipëria po vijon me ritme të larta vaksinimin e popullatës. Shifra 620 mijë është kapërcyer e kjo falë vaksinimit kundër COVID-it me vaksinat Pfizer-BioNTech, si dhe AstraZeneca, Sinovac e Sputnik V.