Aktualitet

Shqipëria zyrtarizon mbështetjen për zgjerimin e NATO-s me Finlandën e Suedinë!

Qeveria shqiptare jep dakordësinë për zgjerimin e NATO-s me Suedinë dhe Finlandën, dy vende që vendosën të aplikojnë për të hyrë në Aleancë pas pushtimit rus të Ukrainës, duke i dhënë fund politikës së neutralitetit. Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, kryediplomatja Olta Xhaçka u shpreh se “ky vendim nuk ishte i vështirë, pasi këto dy vende janë partnere të shkëlqyera dhe një shembull i demokracisë”.

Dhamë dakordësinë për zgjerimin e NATO-s me Suedinë e Finlandën. E kemi mbështetur politikën e dyerve të hapura të NATO-s, Suedia dhe Finlanda janë dy vende partnere, me të cilat kemi një marrëdhënie të mirë, por edhe demokraci model. Pra, nuk ishte aspak një vendim i vështirë apo nuk hezituam, por shpresojmë që ky moment zgjerimi do të japë edhe një moment të ri, shpresojmë me zgjerimin e Aleancës në Ballkanin Perëndimor, siç është rasti i Kosovës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith u shpreh se “Aleanca Veri-Atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë”. Smith përsëriti qëndrimin e Uashingtonit për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet europiane apo euroatlantike. Vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin e anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe.

Ndërkohë, Turqia ia bën të qartë Suedisë e Finlandës se synimi i tyre për anëtarësim në NATO nuk mund të përparojë, nëse shqetësimet e sigurisë së Ankarasë nuk plotësohen përmes hapave konkretë e një afati të caktuar kohor. Qëndrimin e theksoi zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin. Turqia akuzon dy vendet se në 10 vitet e fundit nuk i janë përgjigjur kërkesave të saj për të ekstraduar eksponentë kurdë, që Ankaraja i cilëson “terroristë”.