Marrëveshjet Londër-Tiranë dhe presioni i qeverisë së Rishi Sunak ka frenuar ndjeshëm emigracionin e shqiptarëve për në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 28 shqiptarë kaluan kanalin e La Manche për periudhën Janar-Mars, krahasuar me mbi 12 mijë përgjatë vitit të kaluar.
Aktualisht janë afganët që përbëjnë numrin më të lartë të shtetasve që kalojnë ilegalisht me gomone dhe varka për në Britani.
Megjithatë të dhënat e reja tregojnë se migrimi neto në Mbretërinë e Bashkuar arriti në mbi 600 mijë për vitin 2022. Shifra është rekord për një vit të plotë kalendarik, edhe pse më e ulët se sa ishte parashikuar.
Rreth 114 mijë të ardhur ishin nga Ukraina dhe 52 mijë nga Hong Kongu.
Numri i njerëzve në pritje të shqyrtimit të kërkesës për azil u rrit nga 6500 në 172 mijë. Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se emigracioni është sërish shumë i lartë, ndërsa laburistët e akuzuan atë se nuk ka plan dhe asnjë kontroll mbi kufijtë e vendit.