Aktualitet

Shqiptarët mund të lëvizin drejt Serbisë me karta identiteti!

Hyn në fuqi marrëveshja për lëvizjen e qytetarëve nga Shqipëria drejt Serbisë dhe anasjelltas vetëm me karta identiteti. Këtë e bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Tashmë, për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Serbisë do të cilësohen si të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, një dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë, kartë identiteti biometrike” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Serbia bëhet kështu vendi i pestë ku shqiptarët mund të lëvizin me karta identiteti pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Marrëveshja u firmos nëntorin e kaluar mes Kryeministrit Rama e Presidentit serb Vuçiç.