Sport

Shqiptarët në festë për fitoren e Zvicrës kundër Serbisë në Kupën e Botës!

Në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, tifozeria e politika festuan fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, në një ndeshje që u shënua nga tensionet, provokimet e në fund u mbyll me dërgimin në shtëpi të kombëtares serbe në Katar 2022. Festa ishte për helvetët që mundën kundërshtarët me rezultatin 3-2, falë një goli të shqiptarit Xherdan Shaqiri dhe më pas erdhën golat e Embolosë e Freuler-it për rezultatin përfundimtar 3-2.

Ra në sy reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një postim të shkurtër në Facebook, shoqëruar me foto të Xhakës e Shaqirit duke festuar pas golit të këtij të fundit, shkruan:

Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!

Po ashtu, presidentja Vjosa Osmani thekson:

Bravo shqipe!

Për paraqitje fantastike u dallua edhe Granit Xhaka e madje u shpall dhe “Lojtari i Ndeshjes”. Kapiteni i Zvicrës, i cili në minutat e fundit të takimit u përplas me lojtarët serbë deklaroi:

Kishte emocione, kjo është pjesë e futbollit. Ndeshje e drejtë. Duam të fokusohemi në futboll. Kemi bërë hap para dhe jemi krenar që u kualifikuam në fazën e 1/8-ave. Jam i lumtur. Kemi luajtur shumë mirë. E dimë që rivali ishte cilësor. Por, e patëm përgatitur ndeshjen shumë mirë e merituam fitoren.

Gjithashtu, Granit Xhaka përçoi një mesazh të llojit të vet duke veshur fanellën e mesfushorit Ardon Jashari pikërisht për shkak të asaj se çfarë simbolizon ky mbiemër për shqiptarët dhe historinë e lidhur me figurën e Adem Jasharit.

Në këtë sfidë, interesant ishte fakti se u luajt në stadiumin “974”, që mund ta marrë Kosova. Para disa ditëve, kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi pati deklaruar se “Kosova është favorite e në garë për ta siguruar”. Ky stadium ka 974 kontejnerë që mund të çmontohen e montohen në një vend tjetër, pa asnjë vështirësi. Por, problem përbën aspekti financiar, pasi Kosovës i duhet të gjejë fonde.